Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), zgjedhjet lokale të 19 tetorit kanë dështuar në gjithsej katër komuna për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve.
Në Gostivar, munguan vetëm 20 vota për ta arritur censusin ligjor. Sipas të dhënave të KSHZ-së, kanë votuar 27,609 persona, ndërsa duhej të votonin 27,629 që zgjedhjet të konsideroheshin të vlefshme. Kjo do të thotë se procesi në Gostivar zyrtarisht ka dështuar, dhe votimet do të përsëriten në një afat të ri që do ta caktojë KSHZ-ja.
Përveç Gostivarit, zgjedhjet kanë dështuar edhe në Qendër Zhupë, Vrapçishtë dhe Mavrovë-Rostushë, ku gjithashtu nuk është arritur pragu minimal i daljes së votuesve. Sipas Kodit Zgjedhor, për një raund të vlefshëm për kryetar komune, është e nevojshme që të votojnë mbi 33% e votuesve të regjistruar në listat zgjedhore.
Në këto komuna, qytetarët kanë votuar në numër shumë të vogël:
-
Qendër Zhupë – rreth 19% pjesëmarrje
-
Vrapçishtë – rreth 21% pjesëmarrje
-
Mavrovë-Rostushë – rreth 26% pjesëmarrje
-
Gostivar – rreth 28% pjesëmarrje
Për shkak të mungesës së censust, KSHZ pritet të shpallë përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komune në këto katër njësi lokale, ndërsa zgjedhjet për këshillat komunalë mbeten të vlefshme.
Procesi i përsëritur pritet të mbahet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të raundit të parë, sipas afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Kështu, me dështimin e zgjedhjeve në Gostivar dhe Vrapçishtë, AKI-së i ulet numri i komunave të fituara në raundin e parë në tre.