Edhe Zoran Zaev u bë pjesë e retorikës zgjedhore. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hrisitjan Micksoki akuzoi se Zaev ka marrë valixhe me para për të bërë lëshime në raport me Bullgarinë, ndërsa Zaev këto akuza i quan tentim i dështuar për të mbuluar dështimet e qeverisë.
Çështja e kontestit me Bullgarinë ka futur në retorikën e fushatës zgjedhore edhe ish kryeministrin Zoran Zaev, i cili prej dhjetorit të vitit 2021 zyrtarisht është jashtë politikës. Arsyeja për këtë është një deklaratë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili gjatë një mitingu në Kumanovë tha se linjat e kuqe të LSDM-së aktuale lidhur me negociatat janë të paketuara si “Kali i Trojës” dhe e kujtojnë kohën kur me partinë udhëhiqte Zoran Zaev.
“Kur ish kryeministri i fqinjit tonë lindor publikisht fliste se financiarisht e ka mbështetur atë opsion të LSDM-së, partisë në krye të së cilës është Venko. Edhe atë drejtpërdrejtë, nëpërmjet valixhes me para ndaj mentorit të tij nga Strumica. Tani nuk dua të besoj, por është shumë e logjikshme që sërish kanë trokitur në të njëjtën derë dhe sërish shpresojnë për valixhe të re”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE.
Megjithatë, Zaev ndonëse nuk është mjaft aktiv, reagoi duke i quajtur pretendimet shpifje dhe gënjeshtra, por edhe arsyetim për dështimet e qeverisë. Madje, Zaev rikujtoi se VMRO-DPMNE janë ekspertë për valixhe me para, duke ia rikujtuar pamjet filmike nga skandali “Reket”.
“Ashpër dhe kategorikisht i hedh poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e Mickoskit për gjoja “valixhe me para nga ish kryeministri i Bullgarisë” si të pavërteta dhe si tentim i dëshpëruar i kryeministrit të paaftë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nga dështimet e tij drejt trillimeve të tij. Kur jemi te valixhet, e pamë në incizimet që vetë i lëshuan në opinion se ekspertë për valixhe me para janë mu mbështetësit dhe financuesit e tij”, deklaroi Zoran Zaev, ish kryeministër.
Mickoski gënjen që ish kryeministri bullgar më ka dhënë valixhe me para
Financuesit e Mickoskit janë ekspertë për valixhet me para
Çështja me Bullgarinë vazhdon të jetë spiranca në rrugën evropiane, për shkak të moszbatimit të detyrave nga propozimi francez që u pranua nga qeveria e LSDM-së dhe praktikisht u bë pjesë e kornizës negociuese. Me ndërrimin e pushtetit, VMRO-DPMNE refuzon ta zbatojë këtë marrëveshje, që para se gjithash parasheh përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. /alsat.mk