Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti sot prezantoi një nga projektet më të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për zhvillimin e Çairit si një qendër moderne kulturore dhe urbane.
Ai bëri të ditur se “Shengyl Hamami”, një nga monumentet më të vlerësuara të arkitekturës osmane në Shkup, do të restaurohet dhe do të marrë jetë të re përmes një projekti të detajuar që tashmë është përgatitur.
“Qëllimi ynë është ta rikthejmë këtë thesar historik në funksion të qytetarëve dhe të kulturës. Pas restaurimit, Shengul Hamami do të shndërrohet në një qendër moderne kulturore ku do të zhvillohen aktivitete në fushën e pikturës, muzikës, letërsisë dhe krijimtarisë artistike”, tha Mexhiti.
Më tej shtoi se objekti do të jetë i destinuar për shoqatën “Yeni Yol”, e cila për më shumë se 70 vite është ruajtëse e kulturës, gjuhës dhe letërsisë turke në Maqedoninë e Veriut, si dhe shoqatën “Lilian”, e cila prej më shumë se një dekade përfaqëson denjësisht kulturën boshnjake.
“Me këtë projekt, jo vetëm që po e ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë tonë, por po krijojmë edhe kushte që brezat e rinj të kenë hapësirën e tyre për shprehje dhe krijimtari. Ky do të jetë një vendtakim për breza, kultura dhe ide, një simbol i Çairit si komunë që gjithmonë ka ditur vetëm të bashkojë”, u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se investimi në kulturë do të jetë një nga shtyllat kryesore të vizionit të tij për Çairin.
“Si kryetar i ardhshëm i komunës së Çairit, vizioni im është i qartë që të investojmë në kulturë, ta gjallërojmë Çarshinë dhe ta bëjmë komunën tonë një qendër të vërtetë moderne, urbane dhe kulturore. Shengyl Hamami do të jetë simbol i këtij vizioni, një urë mes së kaluarës dhe të ardhmes, një vend i gjallë që do të na inspirojë”, sqaroi Mexhiti.
https://www.facebook.com/share/19VvBw49kw/