Nesër e enjte ora 12:00 do të Mblidhet Këshilli i Ministrave, për të vendosur për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë nesër shkarkimin e Veliajt, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, ku PS ka shpallur si kandidate, Ogerta Manastirliun.
Ndërkohë pasditen e sotme, në orën 18:00, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë në një takim edhe ministrat si dhe deputetet e qarkut të Tiranës.
Në fokus të diskutime do të jenë zgjedhjet në bashkinë e Tiranës dhe mbështetja për kandidaten Ogerta Manastirliu.
Gjithashtu kreu i qeverisë zhvilloi mesditën e sotme një mbledhje me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, një ditë pasi këshilltarët shkarkuan kryebashkiakun Erion Veliaj,
Në mbledhja Rama kishte ftuar nënkryetarët e institucionit dhe kandidaten e PS për garën në zgjedhjet e parakohshme të kryeqytetit, Ogerta Manastirliun.
Kujtojmë se një ditë më parë, me votë unanime, këshilltarët e mazhorances dhe opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pro shkarkimit të Erion Veliajt nga drejtimi i bashkise se Tiranës.
Mbledhja e së martës u parapri nga një letërkëmbim mes Këshillit Bashkiak dhe Veliajt, pasi kryebashkiaku i burgosur kërkoi që t’i jepej e drejta të fliste në mbledhje dhe kontestoi procedurat e ndjekura nga këshilli si antiligjore. Edhe disa këshilltarë të opozitës e cilësuan të drejtë ligjore mbrojtjen e tij para këshillit, por kërkesa e Veliajt u hoq poshtë nga ish-bashkëpunëtorët e tij.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës dhe i projektuar si pasardhës i tij në krye të Partisë Socialiste, ndodhej në mandatin e tretë të tij kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.
Më 10 shtator të këtij viti, SPAK dërgoi në gjyq Veliajn, Xoxën, ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka dhe 15 persona të tjerë. Ndaj Veliajt janë ngritur 13 akuza, përfshi ato për korrupsion, pastrim parash dhe deri te mbajtja e sendeve të paligjshme në qeli gjatë paraburgimit.
Veliaj iu prezantua për herë të parë publikut shqiptar në vitin 2004 me drejtimin e lëvizjes Mjaft, një lëvizje që udhëhoqi protestat kundër qeverisë socialistë në pushtet drejtuar nga Fatos Nano.
Me largimin e PS-së nga pushteti, Veliaj la aktivizmin civil dhe iu fut politikës duke themeluar një parti të re politike G99 dhe duke garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 por pa arritur të futet në parlament.
Ai iu bashkua PS-së në vitin 2011 dhe pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, kryeministri Edi Rama e emëroi ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe më pas e mbështeti si kandidat socialist për Tiranën.