Seanca gjyqësore për aferën penale që lidhet me ndërtimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës u shty për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Tetovës.
Të pandehurit në këtë proces janë Haki Fetai, ish-drejtor i Qendrës për Kulturë “Ilo Anteski-Smok” dhe ish-përgjegjës për projektin e ndërtimit, Artan Arslani, ish-kryetar i komisionit për prokurim publik dhe më pas ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës për Kulturë, si dhe Bajram Muça, inxhinier mbikëqyrës në kompaninë përgjegjëse për zbatimin e kontratës nga viti 2015 deri më 2020.
Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së Sebi Shasivarit, pronar i kompanisë “Urban Plan Construction”, i cili nuk u paraqit në gjykatë për arsye shëndetësore. Ndërkohë, edhe dy të pandehur – Haki Fetai dhe Artan Arslani – kanë angazhuar një avokat të ri, i cili kërkoi kohë për t’u njohur me aktakuzën. Gjykatësi Elvedin Ferati vendosi që gjykimi të vazhdojë më 8 tetor.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ngriti aktakuzë kundër katër personave fizikë dhe një personi juridik. Sipas Prokurorisë, në periudhën 2014–2020 të pandehurit kanë shmangur me vetëdije rregullat e prokurimit publik dhe kanë abuzuar me detyrën, duke i shkaktuar përfitime materiale në vlerë prej rreth 13 milionë euro kompanisë së akuzuar.
Ndërkohë, ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë vazhdon të zvarritet. Edhe pse gurë-themeli i këtij objekti u vendos më 28 nëntor 2014, dhe projekti ishte premtuar që në vitin 2010 nga ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, objekti ende nuk është përfunduar. Pas më shumë se një dekade, nuk ka ende një datë zyrtare për hapjen e tij.
Për vite me radhë, punimet janë karakterizuar nga vonesa, probleme teknike dhe dyshime për keqpërdorime financiare – të gjitha të dokumentuara nga mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.