Bujar Osmani, kandidat për kryetar komune të Çairit, sot para mediave theksoi se fondet evropiane dhe ndërkombëtare janë mundësia më e madhe e pashfrytëzuar për zhvillimin e komunës dhe se ai di si t’i sjellë ato mjete në shtëpi. “Fondet IPA janë instrumenti më i madh i Bashkimit Evropian për të mbështetur vendet kandidate. Ato janë krijuar për të financuar infrastrukturë, projekte të gjelbra, digjitalizim dhe zhvillim ekonomik, me qëllim që t’i përgatisin komunat tona për integrim në BE”, deklaroi Osmani.
Ai kujtoi se përveç IPA, ekzistojnë edhe programe të tjera që ofrojnë mjete për komunat: IPA Adrion (përshtatje klimatike, ekonomi rrethore dhe mobilitet urban), Interreg Europa (bashkëpunim ndërkufitar dhe rajonal), programet Horizon: Klima, Energjia dhe Mobiliteti, Evropa Krijuese (për kulturë), Evropa për Komunat, si dhe programi ReLOaD për financim transparent të sektorit civil.
“Të gjitha këto programe mundësojnë grante si mjete të pakthyeshme. Fatkeqësisht, sot Komuna e Çairit mburret me kredi, të cilat në thelb nënkuptojnë investime që do t’u kushtojnë qytetarëve të paktën 20% më shtrenjtë”, theksoi Osmani. Ai shpjegoi se përmes fondeve evropiane financimi mund të arrijë deri në 1,2 milionë euro për projekt, ku 85% mbulohen nga BE dhe 15% nga Qeveria. “Por nëse nuk aplikojmë, ato përfundojnë në komuna dhe shtete të tjera ose mbeten të pashfrytëzuara në Bruksel”, paralajmëroi Osmani.
Ai kritikoi administratën e tanishme komunale për mundësitë e humbura, duke theksuar se nuk ka qasje strategjike, mungojnë ekipet e trajnuara të projekteve, afatet për aplikim shpesh humben dhe komuna është e bllokuar nga emërime partiake në vend që të udhëhiqet me profesionalizëm.
Më tej, Osmani paraqiti edhe zotimet e tij konkrete. Ai paralajmëroi se në dy vitet e para si kryetar komune do të sigurojë të paktën pesë milionë euro fonde evropiane përmes programeve IPA dhe WBIF. Këto mjete do të orientohen drejt prioriteteve kryesore të qytetarëve:
– rikonstruksionit të të paktën pesë shkollave dhe çerdheve me fonde evropiane për efikasitet energjetik, me fasada të reja, panele solare dhe fatura më të ulëta të energjisë elektrike;
– transformimit digjital të komunës, me ç’rast 80% e shërbimeve qytetarët do të mund t’i kryejnë online, pa radhë dhe sportele;
– fondeve ndërkufitare përmes programeve IPA për të paktën dy projekte infrastrukturore, një për menaxhimin e mbetjeve dhe një për bashkëpunim kulturor e arsimor me komunat fqinje.
“Çështja nuk është nëse ka para, ka. Çështja është nëse kemi dije dhe lidership që ato para t’i sjellim këtu. Unë e kam këtë përvojë dhe e di saktësisht ku të trokas dhe në cilën derë të kërkoj”, përfundoi Osmani.
Ai porositi se me drejtimin e tij, Çairi nuk do të jetë komunë që pret vetëm buxhetin e shtetit, por komunë që aktivisht shfrytëzon mbështetjen evropiane, ndërton partneritete dhe e shndërron agjendën evropiane në jetë më të mirë për qytetarët e saj.