Kryetari i Alternativës dhe njëri prej liderëve të VLEN, Zeqirija
Ibrahimi, në një intervistë për emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni,
ka dhënë një përgjigje të qartë për komunat shqiptare që pritet të jenë
më të diskutuara në zgjedhjet lokale.
Ibrahimi u shpreh se Çairi mbetet një bastion i sigurt për VLEN-in, duke
theksuar se kjo komunë fitohet që në raundin e parë.
“Çairi nuk diskutohet. Në raundin e parë kjo punë përfundon”, deklaroi
ai.
Ndërkohë, i pyetur për komunat e Haraçinës dhe Sarajit, Ibrahimi theksoi
se ato tashmë janë të humbura për BDI-në, duke akuzuar Ali Ahmetin se i
ka dorëzuar.
“Në Saraj edhe në Haraçinë është duke ndodhur fenomeni ku Ali Ahmeti i
ka dorëzuar ato dy komuna. Për shkak se është dashur që ta paguaj çmimin
që i ka marr Arben Taravarin dhe Zijadin Selën. Andaj ai duke qenë
favorit edhe në Haraçinë edhe në Saraj, thjeshtë i ka dorëzuar ato dy
komuna”, tha Ibrahimi.