Doktoresha e përgjithshme Fatlume Ferati ndau disa këshilla të vyera për prindërit dhe fëmijët me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Ajo për Ora24.tv theksoi rëndësinë e një sistemi imunitar të fortë përmes reduktimit të sheqerit, aktivitetit fizik të rregullt, konsumimit të vitaminës D dhe ujit, si dhe një diete të pasur me fruta e perime sezonale.
Gjithashtu, nënvizoi rëndësinë e përgatitjes emocionale të fëmijëve, kthimin gradual në rutinën shkollore, një gjumë të rregullt dhe mosneglizhimin e mëngjesit, duke e konsideruar këtë të fundit thelbësor për përqendrimin dhe energjinë gjatë ditës.
Në lidhje me përdorimin e teknologjisë, doktoresha sugjeron kufizimin e kohës para ekranit sipas moshës, për të shmangur lodhjen mendore dhe vizuale.
Ajo rekomandoi gjithashtu që çdo prind të ketë një çantë ndihme të parë të kompletuar dhe të mbajë kujdes ndaj higjienës, temperaturës ambientale dhe gjendjes së përgjithshme të fëmijës në shtëpi dhe në shkollë.
“Një fëmijë i shëndetshëm është një fëmijë i lumtur dhe i suksesshëm në shkollë. Mbështeteni emocionalisht, ushqejeni mirë, lejojeni të pushojë dhe edukojeni në mënyrë të dashur tha mes tjerash doktoresha./Ora24.tv





