Zgjedhjet e parakohshme po largohen gradualisht nga kalkulimet politike të Qeverisë. Kryeministri Hristijan Mickoski i jep përparësi stabilitetit financiar para interesave partiake, duke vlerësuar se një proces zgjedhor në këtë moment do ta fuste shtetin në një rrezik serioz financiar.
Në brifingun e sotëm me gazetarët, ai pranoi se nga aspekti thjesht politik, zgjedhjet e parakohshme do të ishin në interes të pushtetit, por në thelb i konsideron ato si një veprim të papërgjegjshëm.
Ai shpjegon se gjatë dy viteve të ardhshme shteti duhet të sigurojë pesë miliardë euro për shlyerjen dhe rifinancimin e borxheve, pagesën e interesave dhe mbulimin e deficitit buxhetor. Për më tepër, Mickoski pretendon se zgjedhjet e parakohshme nuk kanë mbështetjen as të partnerëve ndërkombëtarë.
“Vitin e ardhshëm duhet të gjejmë 2,3 miliardë euro. Gjashtë muaj me Qeveri teknike do ta çonin shtetin drejtpërdrejt në falimentim. Për më tepër, ajo Qeveri teknike do të funksiononte në kulmin e dimrit më të ashpër, në janar dhe pjesërisht në shkurt.
Ndërsa në vitin 2028 është shumë më lehtë, edhe pse atëherë bëhet fjalë për 2,7 miliardë euro. Në atë kohë do të mund t’i bartim detyrimet në vitin 2029, pasi që ky është i vetmi vit që nuk është mbuluar me euroobligacion. Një pjesë të detyrimeve mund t’i transferojmë në vitin 2029 dhe kështu të dalim nga këto dy vite, gjatë të cilave duhet të sigurojmë likuiditet prej pesë miliardë eurosh”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, stabiliteti i koalicionit qeveritar u vu në qendër të vëmendjes pas paralajmërimeve të liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, për mundësinë që partia të largohet nga Qeveria nëse lejohet dhënia e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.
Dimitrievski më herët paralajmëroi se do të kërkojë takim të liderëve me partnerët e koalicionit, me qëllim që të përcaktohen qëndrimet dhe vijat e kuqe lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër, opozita mbetet në qëndrimin se nuk do të iniciojë zgjedhje të parakohshme. Nga LSDM-ja thonë se nuk do t’i japin pushtetit alibi dhe, siç shprehen ata, zgjedhje do të ketë kur të mbarojnë paratë për tenderë.
Sa u përket detyrimeve të Maqedonisë në rrugën drejt integrimit evropian, kryeministri nuk paralajmëron ndonjë ofensivë më agresive për heqjen e vetos.
Mickoski pretendon se qasja aktuale diplomatike tashmë po jep rezultate, ndonëse modeste. Sipas tij, rritja e kundërshtimit të qytetarëve ndaj ndryshimeve kushtetuese nuk përdoret si argument në bisedimet me partnerët evropianë, por mbetet informacion për përdorim të brendshëm.
Mosmarrëveshja me Bullgarinë, theksoi kryeministri, nuk është një garë në distanca të shkurtra, por një maratonë diplomatike, në të cilën interesat shtetërore janë më të rëndësishme sesa veprimet e shpejta për të përmbushur pritshmëritë e dikujt.








