Kandidati i VMRO-DPMNE-së për Komunën e Karposhit, Sotir Llukrovski, tha se do të punojë me transparencë dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike. Ai theksoi se prioritet i tij është përmirësimi i jetës së përditshme në komunë – nga zgjidhja e problemit të parkimit dhe mbeturinave, deri te gjallërimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra.
Llukrovski nënvizoi se komunës i duhen më shumë parqe dhe shfrytëzim i mençur i resurseve natyrore, përfshirë hapësirat në Nerez dhe përgjatë lumit Vardar, ku ka mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe hapësira rekreative për qytetarët.
Në planin e tij përfshihet zgjidhja e mbi 11.000 kërkesave për legalizim, investime në arsim me 200 vende të reja në çerdhe, uniforma për nxënësit dhe renovim të shkollave, si dhe mbështetje për sportin, kulturën dhe aktivitetet sociale.
“Qytetarët e Karposhit, pavarësisht se kujt përkatësie politike, etnike apo fetare kanë, do të trajtohen njësoj. Përkushtimi im është një Karposh i gjelbër, gjithëpërfshirës dhe transparent”, tha ai.