Para repartit për sëmundje infektive në Tetovë do të ndërtohet një park memorial në kujtim të viktimave të spitalit modular që u përfshi nga zjarri. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ndër të tjera theksuan se këto viktima nuk duhet të harrohen.
“Ky projekt nuk është për t’u dukur, ky park nuk është zbukurim! Ajo është përgjegjësia për fat të keq e vonuar që një sistem duhej ta kishte dhënë që në fillim. Por sot më në fund po fillojmë dhe fillon ndryshe. Parku memorial që po ndërtojmë nuk ndjek rrugë të drejta, sepse as jeta nuk ishte e drejtë me këta njerëz” , tha Azir Aliu- Ministër i Shëndetësisë.
“Sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për viktimat, për familjet e viktimave të tragjedisë së Tetovës, njëjtë siç nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, në rastet e tjera tragjike, siç ishte rasti Llaskarca, rasti i autobusit në Bullgari”, u shpreh Arben Fetau – zv kryeminsitër.
Fillimisht, ideja për ndërtimin e një parku memorial erdhi nga “Iniciativa Zero”, e cila dorëzoi një kërkesë zyrtare në Komunën e Tetovës. Lokacioni i parashikuar për parkun ndodhet pranë ish-spitalit modular, pasi në vendin ku dikur ishte spitali, tani ndodhet një parkim zonal.





