Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Kryetari z. Qya së bashku me nënkryetarin Aliu, drejtorin ekzekutiv Zekiri, anëtarë të KD dhe menaxheren operative mirëpritën në takim Klubin e Biznesit Maqedoni-Gjermani, me kryetarin Vejseli, nënkryetarin Ilijevski dhe anëtarë të tjerë nga kryesia.
Takimi u përqendrua në identifikimin e sektorëve me potencial të lartë investimi dhe zhvillimi, veçanërisht në sektorët deficitare si energjetika, ku nevojiten investime serioze dhe të qëndrueshme. Palët theksuan rëndësinë e krijimit të kushteve të favorshme për investitorët dhe tërheqjes së kapitalit të ri në vend.
Kryetari i OEMVP-së, z.Qyra, theksoi nevojën për ndërlidhjen e bizneseve vendore me rrjetin ndërkombëtar dhe përmirësimin e klimës investuese në vend. “OEMVP mbetet e përkushtuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh z. Qyra.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe potenciali i investimeve të diasporës shqiptare, ku u theksua rëndësia e trajtimit të tyre në një kuadër më të gjerë makroekonomik, si dhe nevoja për t’u ofruar kushte më të favorshme, të ngjashme me ato që u ofrohen kompanive në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI). Siç theksoi z. Durim Zekiri, kjo do të ndihmonte në kthimin e kapitalit dhe përvojës së diasporës në zhvillimin vendor.
Gjithashtu, u diskutua nevoja për lehtësimin e barrierave administrative dhe burokratike për investitorët, si një hap kyç drejt përmirësimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në vend.






