Ideja për ndërtimin e “Empire State Building” thuhet se ka lindur nga një garë mes Walter Chrysler nga Chrysler Corporation dhe John Jakob Raskob i General Motors për të parë se kush mund të ngrinte ndërtesën më të lartë.
Chrysler kishte filluar tashmë punën në ndërtesën e famshme “Chrysler”, 318 metra e lartë në qendër të Manhatanit.
Raskob mblodhi një grup investitorësh të njohur, duke përfshirë ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Alfred E. Smith. Grupi zgjodhi kompaninë e arkitekturës “Shreve, Lamb & Harmon” për të projektuar ndërtesën.
Planet e Art-Deco, që thuhet se bazoheshin kryesisht në pamjen e një lapsi, ishin gjithashtu të përshtatshme për ndërtuesit. E gjithë ndërtesa u ngrit për më shumë se një vit, me një buxhet prej 40 milionë dollarësh dhe përpara afatit. Gjatë periudhave të caktuara të ndërtimit, korniza rritej me katër kate e gjysmë në javë.
Ndërtesa e re e mbushi qytetin e Nju Jorkut me një ndjenjë të thellë krenarie, dëshpërimisht e nevojshme në thellësitë e Depresionit të Madh, ku shumë banorë të qytetit ishin të papunë dhe perspektivat dukeshin të zymta.
Mbërthimi i Depresionit në ekonominë e Nju Jorkut, ishte ende i dukshëm një vit më vonë, ku vetëm 25 për qind e zyrave të “Empire State” ishin marrë me qira.
Në vitin 1972, “Empire State Building” humbi titullin si ndërtesa më e lartë në botë kundrejt Qendrës Tregtare Botërore të Nju Jorkut, që u rendit si qiellgërvishtësi më i lartë për vetëm një vit. Sot nderi i takon kullës “Burj Khalifa” në Dubai, e cila është 827 metra e lartë./KultPlus.com





