606 shkelje me trotinetë elektrikë gjatë gushtit, 18 mjete të konfiskuara

Advertisement

Përdorimi i trotinetëve elektrikë vazhdon të jetë një shqetësim për sigurinë në komunikacion. Vetëm gjatë muajit gusht, në territorin e Maqedonisë së Veriut janë konstatuar 606 shkelje nga drejtuesit e mjeteve të lehta elektrike, ndërsa 18 trotinetë janë konfiskuar.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 162 raste kanë të bëjnë me mosmbajtjen e jelekut reflektues gjatë lëvizjes natën, 134 me mosshfrytëzimin e shtegut për biçikleta ose këmbësorë, ndërsa 59 drejtues janë gjobitur për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse.

Gjithashtu, janë konstatuar 45 raste të transportimit të dy personave në trotinet dhe 20 raste të drejtimit të mjeteve të lehta elektrike nga persona të mitur.

Numri më i madh i shkeljeve është regjistruar në Manastir, me 236 raste. Pasojnë Shkupi me 97, Strumica me 82, Ohri me 57, Tetova me 27, Velesi me 18, Shtipi me 13 dhe Kumanova me 7 raste. Njësia Mobile për Sigurinë në Trafik ka konstatuar edhe 69 shkelje të tjera.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se për të gjitha rastet janë ndërmarrë masat përkatëse dhe janë shqiptuar sanksione në përputhje me ligjin.

Ndërkohë, qytetarët kërkojnë masa më të rrepta dhe krijimin e hapësirave të veçanta për lëvizjen e trotinetëve elektrikë.

“Është katastrofë. Rrezikojnë sigurinë në trafik, por edhe veten. Nëse ka rregullore ligjore, duhet të dënohen që të vendoset rregull”, tha një qytetar.

Një tjetër qytetar kërkoi gjoba më të larta dhe infrastrukturë të veçantë për këto mjete.

“Duhet shteti të bëjë rrugë të veçanta ku të lëvizin. Jo vetëm dënime, por duhet diçka të bëhet”, u shpreh ai.

Edhe një qytetare kërkoi rregulla më të ashpra, veçanërisht për të miturit që përdorin trotinetët elektrikë.

“Duhet të kemi rregulla edhe më të rrepta për të gjithë ata që lëvizin pa kontroll dhe me shpejtësi të lartë, sidomos për ata që janë të mitur”, tha ajo.

Problem i veçantë mbetet edhe përdorimi i trotinetëve elektrikë me qira në Shkup. Nga Qyteti i Shkupit thonë se ende po shqyrtohet nëse kompanitë që ofrojnë këtë shërbim do të duhet t’u përshtaten rregullave të reja dhe të sigurojnë pajisje mbrojtëse, përfshirë helmetat dhe jelekët reflektues.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit