Dhurimi i organeve, një vendim që mund të shpëtojë jetë

Advertisement

Çdo ditë, pacientë të shumtë presin një telefonatë që mund t’ua ndryshojë jetën. Për ata që kanë nevojë për transplant, një organ i dhuruar mund të jetë mundësia për të nisur një kapitull të ri.

Por sa janë qytetarët të gatshëm të dhurojnë organet e tyre?

“Një jetë e kemi të gjithë. Edhe tjetrit duhet t’ia japim vlerën, pra duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin”, u shpreh një qytetar.

“Absolutisht po. Një jetë e kemi të gjithë dhe jeta duhet të vazhdojë. Një jetë e shpëtuar, e kujtdo qoftë ajo, është humane dhe shumë njerëzore”, tha një tjetër qytetar.

Sipas mjekut Sedat Lumani, një donator mund të ndihmojë disa pacientë, pasi për transplantim mund të përdoren organe të ndryshme.

“Dhuruesi që veçmë është i vdekur klinikisht, organi i tij do të zgjasë një jetë, do të shpëtohet një jetë, në fakt disa jetë, sepse nuk dhurohet vetëm një organ. Zemra, mëlçia, të gjitha organet mund të transplantohen, përveç trurit”, u shpreh Lumani.

Dhurimi i organeve nuk lidhet vetëm me aspektin mjekësor dhe ligjor, por edhe me atë moral e fetar. Në diskutimet bashkëkohore mbi transplantimin shpesh përmendet edhe parimi kuranor se shpëtimi i një jete është sikur të jetë shpëtuar i gjithë njerëzimi.

“Njeriu jep diçka nga vetja e tij për të shpëtuar jetën e tjetrit dhe kjo përfshihet në ajetin kuranor ku Zoti thotë: ‘Ata besimtarë që janë të sinqertë, u japin përparësi të tjerëve kur vetë janë të nevojshëm.’ Pra, kur shohim që jemi të nevojshëm me diçka që ne nuk na dëmton, e atij i shpëton jetën, kjo është forma më e lartë e altruizmit”, u shpreh Hafiz Rustemi, anëtar i komisionit për përpilimin e ligjit.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë po përgatit ndryshime ligjore në fushën e transplantimit të organeve. Në konsultimet për ndryshimet ligjore janë përfshirë edhe Bashkësia Fetare Islame dhe bashkësitë e tjera fetare në vend.

Qëllimi është që qytetarët të kenë informacione të qarta për dhurimin e organeve, jo vetëm nga aspekti mjekësor dhe ligjor, por edhe nga ai fetar.

Në vend, dhurimi nga persona të gjallë dhe nga donatorë të vdekur vazhdon të jetë i kufizuar në raport me nevojat. Vitet e fundit janë realizuar transplante të zemrës, mëlçisë dhe veshkave, ndërsa lista e pacientëve që presin vazhdon të ndryshojë.

Nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se lista e pritjes nuk është fikse dhe ndryshon në baza ditore. Në të shtohen pacientë të rinj, ndërsa të tjerë largohen për arsye të ndryshme mjekësore. Për këtë arsye, nuk përgatitet një pasqyrë vjetore fikse e numrit të pacientëve në pritje.

Nga viti 2020 deri më sot janë regjistruar gjithsej 45 donatorë të procesuar me vdekje cerebrale, 27 dhurime të realizuara me pëlqim dhe 140 organe apo inde të transplantuara.

Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz që presin një telefonatë, një organ dhe një mundësi për të vazhduar jetën.

Për një familje, dhurimi i organeve mund të jetë një vendim i vështirë në një moment dhimbjeje, por për një pacient në pritje mund të nënkuptojë një mundësi të re për jetë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit