Një shtet i ri, një Kushtetutë e kontestuar dhe një popull që nuk e gjeti veten të barabartë në aktin më të lartë juridik të shtetit. Më 17 nëntor 1991, Kuvendi i Maqedonisë miratoi Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur, por jo me mbështetjen e përfaqësuesve shqiptarë.
Miratimi i saj erdhi pas referendumit të 8 shtatorit 1991 për pavarësinë e vendit, të cilin një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar e bojkotoi.
Deputetët shqiptarë në Kuvend nuk e mbështetën Kushtetutën, duke kundërshtuar veçanërisht përcaktimin e Maqedonisë si shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe pozitën e pabarabartë kushtetuese të shqiptarëve.
Ata kërkonin që shqiptarët të njiheshin si popull shtetformues dhe të garantoheshin me Kushtetutë të drejta të barabarta.
Kështu, Kushtetuta e 17 nëntorit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, duke lënë që në themel të shtetit të pavarur një kontestim të rëndësishëm politik dhe kushtetues lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.








