Për të katërtën ditë radhazi nuk janë regjistruar raste të reja të shtrimit në Klinikën për Sëmundje Infektive, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas tij, aktualisht në Klinikë janë të shtruar 12 pacientë, prej të cilëve tre janë në kujdes intensiv dhe marrin mbështetje me oksigjen. Në mesin e tyre është edhe një pacient që prej një periudhe më të gjatë ndodhet në spital dhe gjendja e të cilit mbetet e pasigurt.
Klekovski tha se masat shëndetësore po vazhdojnë pavarësisht nëse situata trajtohet si epidemi apo jo. Ai bëri të ditur se po kryhet dezinfektim në vendbanimet e pacientëve tek të cilët virusi është konfirmuar gjatë javës së kaluar.
Ministri njoftoi gjithashtu se spërkatja e fundit në Shkup ka përfunduar, ndërsa rezultatet e kontrolleve të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në territorin e vendit pritet të përmblidhen dhe t’i prezantohen opinionit.
Klekovski theksoi se është e vështirë të parashikohet zhvillimi i mëtejshëm i situatës, pasi periudha e inkubacionit zgjat nga dy deri në 14 ditë. Ai tha se në disa komuna nuk ka pasur raste, pavarësisht mungesës së spërkatjes, ndërsa komunat në rajonin e Vardarit duhet të jenë më të kujdesshme.
Ministri përmendi gjithashtu mundësinë që në vitet e ardhshme të bëhet kalimi gradual nga spërkatja ajrore në atë tokësore, duke theksuar se për këtë nevojitet përgatitja e mekanizimit dhe zbatimi i përvojave nga vende të tjera, përfshirë Greqinë.






