Zv ministri Albrim Hoxha do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në konferencën rajonale të FAO-s për Evropë dhe Azi Qendrore

Zv.ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, do të marrë pjesë në Sesionin e 35-të të Konferencës Rajonale për Evropë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), e cila do të mbahet nga 11 deri më 15 maj 2026 në Dushanbe të Taxhikistanit.

Konferenca Rajonale e FAO-s për Evropë dhe Azi Qendrore paraqet një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe politikave për transformimin e sistemeve agro-ushqimore. Në këtë ngjarje marrin pjesë ministra, zëvendësministra, përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, institucioneve shkencore dhe partnerëve zhvillimorë nga rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore.

Gjatë sesioneve të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi strategjike, përfshirë qëndrueshmërinë e bujqësisë, ndikimin e ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit, sigurinë ushqimore, transformimin digjital të sektorit agro-ushqimor, si dhe forcimin e rezistencës së sistemeve bujqësore ndaj krizave globale.

Pjesëmarrja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë konferencë të nivelit të lartë konfirmon angazhimin e vendit për avancimin e politikave moderne bujqësore, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin agro-ushqimor.

Gjatë qëndrimit në Dushanbe, zv.ministri Albrim Hoxha pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse dhe drejtues të FAO-s, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit