ZNAM: Dënojmë glorifikimin e krimeve të luftës, NATO dhe BE-ja janë e ardhmja e Maqedonisë

Advertisement

Lëvizja ZNAM për Maqedoninë Tonë ka reaguar lidhur me debatet e fundit për qëndrimet ndaj krimeve të luftës dhe aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Nga ZNAM thonë se dënojnë krimet e luftës të kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe rastet e Hagës që lidhen me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, si dhe çdo përpjekje për glorifikimin, relativizimin apo justifikimin e tyre.

Sipas tyre, postimi për të cilin është hapur debati përfaqëson qëndrim personal të drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe nuk duhet të barazohet me qëndrimin e Qeverisë apo politikën e bartësve të pushtetit.

ZNAM thekson se përgjegjësia për qëndrimet personale dhe veprimet publike duhet të jetë individuale dhe institucionale, duke kundërshtuar, siç thonë, përpjekjet për ta shndërruar këtë çështje në një debat më të gjerë politik dhe etnik.

“ZNAM-i dënon çdo glorifikim të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”, thuhet në reagim.

Nga partia gjithashtu thonë se nuk pranojnë instrumentalizimin politik të kësaj teme dhe akuzojnë Venko Filipçen dhe LSDM-në se po përpiqen ta lidhin këtë çështje me tema të tjera politike dhe me partitë në pushtet.

Në fund, ZNAM përsërit qëndrimin se NATO dhe Bashkimi Evropian janë e ardhmja e Maqedonisë dhe se do të vazhdojë të veprojë, siç thekson, mbi bazën e parimeve të veta, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe interesit të qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit