Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, njoftoi se së bashku me komandantin e Brigadës Kundër Zjarrit të Qytetit të Shkupit, Zvonko Tomevski, dhe ekipet zjarrfikëse, ndodhen në fshatin Gaber, i cili u përfshi nga zjarri që u përhap nga fshati Moranë.
Sipas tij, për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, ku ndërhyrja nga toka është e kufizuar, në shuarjen e zjarrit nga ajri intervenuan tre avionë „Air Tractor“ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Ali theksoi se ekipet zjarrfikëse do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës për të mbrojtur fshatin dhe vendbanimet përreth, si dhe për të monitoruar vazhdimisht situatën.
Ai paralajmëroi se nesër në orët e hershme të mëngjesit do të rifillojnë ndërhyrjet nga ajri me avionët „Air Tractor“, në koordinim me Brigadën Kundër Zjarrit të Shkupit, me qëllim lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.






