Në provincën turke të Antalias, në bregdetin e Mesdheut, zjarrfikësit po përballen me një zjarr të madh pyjor, i cili ka detyruar qindra banorë të evakuohen. Të paktën dy persona kanë mbetur të lënduar.
Zjarri shpërtheu gjatë natës së kaluar në Aksu, një zonë e Antalias, ndërsa erërat e forta kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve drejt zonës fqinje të Kepezit, transmeton AP.
Dy persona janë dërguar në spital me lëndime në këmbë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të thithjes së tymit. Nga zonat Aksu dhe Kepez janë evakuuar banorët e të paktën 254 shtëpive.
Përkohësisht është mbyllur edhe autostrada që lidh Antalian me Ispartën, qytet që ndodhet rreth 130 kilometra në veri.
Autoritetet e Antalias kanë bërë të ditur se më shumë se 100 qen janë zhvendosur në një vend të sigurt nga një strehë në Aksu, pasi rrezikoheshin nga zjarri dhe tymi i dendur.
Ndërkohë, më shumë se 2 mijë familje në rajon kanë mbetur pa energji elektrike, njofton agjencia Anadolu.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar të paktën pesë avionë zjarrfikës, 10 helikopterë, 110 automjete zjarrfikëse dhe rreth 600 pjesëtarë të shërbimeve.
Zjarre janë raportuar edhe në provincat fqinje Adana dhe Mersin, ku ekipet zjarrfikëse po vijojnë përpjekjet për t’i vënë nën kontroll.






