Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka njoftuar se sot ka qëndruar në Komunën e Bogovinës, ku së bashku me kryetarin e komunës, Feti Abazi, ka marrë pjesë në përurimin e rrugës në Prekovec.
Sipas Zekollit, rruga është realizuar përmes thirrjes së dytë të Qeverisë dhe ka gjatësi prej 845 metrash dhe gjerësi 5.5 metra. Vlera e investimit është mbi 12 milionë denarë.
“Bashkë me kryetarin e Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, përuruam rrugën në Prekovec, një projekt i realizuar përmes thirrjes së dytë të Qeverisë”, ka shkruar Zekolli Shaqiri.
Ajo ka bërë të ditur se përmes dy thirrjeve qeveritare, për Komunën e Bogovinës janë siguruar gjithsej 2.3 milionë euro për realizimin e 12 projekteve, prej të cilave nëntë janë përfshirë në thirrjen e parë dhe tre në të dytën.
Sipas saj, projekti synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e kësaj zone.






