Zbulim befasues në Egjipt, gjendet një kopje e “Iliadës” së Homerit në stomakun e një mumjeje!

Arkeologët kanë zbuluar një kopje të Iliadës së Homerit në papirus brenda stomakut të një mumjeje në Al-Bahnas, Egjipt.

Kjo është hera e parë që një tekst letrar grek është gjetur i ngulitur në procesin e konservimit.

Ky zbulim i veçantë arkeologjik ka implikime të mëdha për praktikat e varrimit dhe jetën fetare në Egjiptin e lashtë.

Sipas informacionit nga “Independent”, fragmenti i papirusit u zbulua në stomakun e një mumjeje, e cila ishte varrosur gjatë epokës romake në Oxyrhynchus rreth 1,600 vjet më parë. Oxyrhynchus, i njohur në kohën e faraonëve si Per-Menged, ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Egjiptit greko-romak.

Rrënojat e tij ndodhen në qytetin e sotëm të Al-Bahnas, rreth 190 km në jug të Kajros, pranë degës së Nilit të njohur si Bahr Yusef.

Studiuesit nga Instituti i Studimeve të Lindjes së Afërt të Lashtë në Universitetin e Barcelonës zbuluan mumjen gjatë një gërmimi të kryer midis nëntorit dhe dhjetorit 2025. Megjithatë, ata zbuluan se mumja paraqiste një element të pazakontë, një papirus ishte vendosur në barkun e saj si pjesë e ritualit të balsamimit.

Në të kaluarën janë zbuluar mumie egjiptiane nga ajo periudhë, të cilat mbanin papirus të shkruar në greqisht, por të gjitha përmbanin tekste me përmbajtje magjike ose rituale.

“Kjo nuk është hera e parë që gjejmë papiruse greke, të lidhura, të vulosura dhe të përfshira në procesin e mumifikimit , por deri më tani përmbajtja e tyre ka qenë kryesisht magjike”, tha Ignasi-Xavier Adiego, profesor në Departamentin e Gjuhëve Klasike, Romance dhe Semitike.

Mumifikimi në epokën romake në Oxyrhynchus

Mumifikimi i epokës romake në Oxyrhynchus kombinonte zakonet tradicionale egjiptiane, greke dhe romake.

Priftërinjtë e lashtë egjiptianë të kohës përqendroheshin në ruajtjen e trupave për më shumë se 40 ditë, duke përdorur natrium për t’i dehidratuar dhe duke i mbështjellë me lir.

Në vend që të përdornin kavanoza tradicionalë kanopike për të ruajtur organet, ata preferonin ta mbushnin trupin me materiale ruajtëse së bashku me papiruse që përmbanin literaturë greke, të vulosura me argjilë brenda kraharorit ose zgavrës së legenit.

Arkivolet dhe mbështjellësit shpesh paraqisnin një përzierje motivesh egjiptiane dhe romake. (Panorama)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit