Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Ksamil, ku humbi jetën një turist 20-vjeçar nga Portugalia.
Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, policia ka lokalizuar dhe arrestuar në Levan të Fierit autorin e dyshuar të vrasjes, 29-vjeçarin S. L., alias S. V. Ai u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti, i cili drejtohej nga një 31-vjeçare me shtetësi turke, ndërsa në automjet ndodhej edhe një 38-vjeçar, po me shtetësi turke. Sipas policisë, të dy kishin njohje me të dyshuarin dhe po e transportonin drejt Tiranës.
Në kuadër të hetimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona, ndërsa deri tani janë arrestuar në flagrancë 11 shtetas dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15 të 18 gushtit, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”. Gjatë një konflikti mes disa personave, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur disa herë me thikë turistin portugez L. V., 20 vjeç. Në konflikt dyshohet se ka marrë pjesë edhe D. H., 29 vjeç, i cili e ka goditur viktimën me grushte dhe aktualisht është shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se të dy dyshohen për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit, të cilët, sipas hetimeve, e kanë goditur 20-vjeçarin me grushte para se ai të sulmohej me thikë.
Ndërkohë, në ambientet e lokalit ndodheshin edhe disa persona me detyrë sigurie, përfshirë punonjës të strukturave shtetërore. Sipas policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen dhe pas saj nuk kanë njoftuar autoritetet.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ndërsa ndaj personave të përfshirë rëndojnë akuza të ndryshme, nga vrasja me dashje dhe përkrahja e autorit të krimit, deri te moskallëzimi i krimit.






