Sigurisht se keni dëgjuar për simbolikën e servimit të kafesë te shqiptarët. Por a e dini se çfarë do të thotë po iu ofrua kafja e tretë mikut?
Reporteri Rdolf Vogel që ka jetuar në Tiranë gjatë gjithë kohës së pushtimit në Shqipëri ka shkruajtur disa kujtime që janë botuar për herë të parë në vitin 1989 në Gjermani dhe janë sjell në shqip nga historiani i njohur Marenglen Kasmi.
Vogeli i ka njohur shumë shqiptarët e asaj kohe, sidomos ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe i portretizon si të pamëshirshëm. Në këto kujtime parakalojnë emra shumë të njohur të kësaj periudhe si Eqrem Bej Vlora, Kolë Bib Mirakaj, Xhaferr Deva, Patër Anton Harapi, Mehdi Frashëri e të tjerë.
Në një nga rrëfimet e tij Rudolf Vogel tregon për një zakon që sot nuk njihet më, por që ishte shumë i përhapur në Shqipërinë e asaj kohe, atë të tre kafeve.
Ja çfarë thotë reporteri gjerman në kujtimet e tij:
“Nga Zonja Vrioni mora vesh disa historira të lezetshme mbi traditat dhe zakonet shqiptare. Ja një nga ato: Rituali i zakonshëm e kërkonte që mysafirit t‘i servirej menjëherë një kafe turke. Nëse mysafiri qëndronte më gjatë seç pritej, ai paralajmërohej se i erdhi koha për të ikur duke i servirur një filxhan të dytë kafeje. E nëse mysafiri nuk largohej atëherë ndodhte e jashtëzakonshmja, i servirej filxhani i tretë me kafe, që do të thoshte përzënie. E nëse ndodhte që miku nuk e respektonte as këtë, atëherë ai nuk ftohej më kurrë në familjet e bejlerëve.” (ObserverKult)








