Filadelfia do të kthehet në një qendër të muzikës dhe sportit gjatë Kupës së Botës FIFA 2026, ndërsa organizatorët e FIFA Fan Festival Philadelphia kanë zbuluar tre emra të rinj që do të ngjiten në skenën e koncertit falas.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha do të performojë më 17 korrik në skenën e vendosur në Lemon Hill, Fairmount Park, duke sjellë hitet e saj për mijëra tifozë që do të ndjekin atmosferën e Botërorit.
Përveç saj, në këtë seri koncertesh do të performojnë edhe fituesi i çmimit Grammy, Leon Thomas, më 8 korrik, si dhe ylli portorikan i reggaetonit, Wisin, më 12 korrik.
Programi muzikor i festivalit përfshin një përzierje zhanresh, nga pop-i dhe R&B-ja te hip-hopi dhe muzika latine, duke reflektuar karakterin ndërkombëtar të Kupës së Botës dhe bashkimin e kulturave përmes muzikës.
“Ky formacion përfaqëson gjithçka që është FIFA Fan Festival – artistë të klasit botëror nga zhanre dhe kultura të ndryshme që bashkohen për të festuar gjuhën universale të muzikës dhe sportit”, tha Michael DelBene, producent ekzekutiv i festivalit në Filadelfia.
Koncertet do të zhvillohen gjatë gjithë muajit korrik, ku përveç Bebe Rexhës, Leon Thomas dhe Wisin, në skenë do të ngjitet edhe grupi The All-American Rejects më 13 korrik.
FIFA Fan Festival në Filadelfia pritet të jetë një nga pikat kryesore të atmosferës së Kupës së Botës 2026, duke kombinuar ndeshjet, muzikën dhe aktivitetet kulturore për tifozët nga e gjithë bota./KultPlus.com





