Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e dekorimit, Haxhiu e falënderoi kolonelin Berg për angazhimin e tij gjatë mandatit si Atashe i Mbrojtjes i SHBA-së në Kosovë, veçanërisht për mbështetjen në zhvillimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas saj, puna e Berg ka kontribuar në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.
“Ky vlerësim është shprehje e mirënjohjes për përkushtimin dhe kontributin tuaj në forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Haxhiu.
Koloneli A. J. Berg përfundon mandatin e tij si përfaqësues i mbrojtjes së SHBA-së në Kosovë, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të partneritetit strategjik./KultPlus.com





