Xhezair Shaqiri godet ish-pushtetarët: E lanë Marrëveshjen e Ohrit të cunguar, tani studentët po paguajnë pasojat

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Xhezair Shaqiri, ka komentuar protestat e studentëve shqiptarë për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke thënë se kërkesat e tyre janë legjitime, por duke shprehur rezervat e tij ndaj organizimit të protestës.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Shaqiri tha se shumë persona i kanë kërkuar të dalë publikisht në mbështetje të studentëve, por ai nuk dëshiron të jetë pjesë e tubimeve ku, sipas tij, marrin pjesë edhe njerëz që në të kaluarën kanë dëmtuar interesat shqiptare.

Ai kritikoi ish-funksionarët shqiptarë për mosrealizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe për, siç tha, skandale e dështime të shumta gjatë viteve të qeverisjes.

Shaqiri paralajmëroi se protestat mund të shfrytëzohen për provokime politike dhe theksoi se tensionet nuk i shkojnë në favor as Kosovës, as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, ai nënvizoi se studentët kanë të drejtë në kërkesat e tyre, ndërsa përgjegjësinë për situatën aktuale ua atribuoi politikave të kaluara shqiptare.

Në fund të reagimit, Shaqiri kritikoi edhe përçarjet mes shqiptarëve, duke vlerësuar se ato po ndodhin më shumë për interesa politike e ekonomike sesa për çështje kombëtare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit