9.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Vrasja në Prilep/ Motivi ka qenë mosmarrëveshjet për çështje pronësore të pazgjidhura

Vrasje e dyfishtë dhe vetëvrasje në Prilep. Për shkak të mosmarrëveshjeve familjare, një burrë 63-vjeçar ka vrarë nipin e tij, pastaj edhe djalin e tij, për të përfunduar duke u vetëvrarë. Prokuroria ka kryer inspektimin në vendngjarje, ndërsa trupat janë dorëzuar për obduksion.

“Sipas informacioneve fillestare, 63-vjeçari së pari ka vrarë nipin e motrës dhe djalin e tij, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare dhe çështjeve të pazgjidhura pronësore. Pas kryerjes së veprës, motivet i ka publikuar edhe në një rrjet social, dhe më pas është vetëvrarë. Prokurori publik ka nxjerrë urdhër për obduksionin e viktimave, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve, armëve dhe municionit të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat do të jenë objekt i ekspertizës”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP).

Ngjarjen e konfirmoi edhe MPB-ja. Sipas informacionit që ata disponojnë, bashkëshortja e një burri 41-vjeçar ka denoncuar në polici se ai dhe djali i tij po shkonin drejt të afërmit të tyre 63-vjeçar. Kur policia mbërriti në shtëpinë e 63-vjeçarit dhe tentoi të hynte brenda, askush nuk iu përgjigj derës, ndërsa pasi policia hyri me forcë, personi hodhi një bombë drejt tyre..

“Sipas urdhrit të prokurorit publik, nëpunësit e policisë hapën derën me forcë dhe kur hynë në shtëpi, një person hodhi bombë drejt tyre që nisi të tymoset, por nuk shpërtheu. Pasi nëpunësit policor dolën nga shtëpia, u qëllua drejt tyre, ndërsa policia iu përgjigj me zjarr nga arma zyrtare drejt shtëpisë”, thonë nga MPB.

Në njoftim shtohet se disa orë më vonë, pra sot në mëngjes në orën 1:35, është konstatuar vdekja e të tre personave. Më shumë detaje për vrasjen e dyfishtë dhe vetëvrasjen priten nga organet përgjegjëse pas përfundimit të obduksionit të trupave./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit