Shkup, 17 janar – VMRO-DPMNE ka dalë me akuza ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish-kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar në dëshminë publike të mjekut dhe pronarit të Klinikës “Zhan Mitrev”.
Në një konferencë për shtyp, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se Zhan Mitrev ka bërë të ditur në një intervistë për televizion kombëtar se gjatë kohës kur Filipçe dhe Zaev ishin në pushtet, ata e kanë kërcënuar dhe i kanë ushtruar presion me qëllim që t’ia marrin pronësinë e spitalit.
Sipas Stojanoskit, në kulmin e një procesi gjyqësor kundër Mitrevit, institucionet shtetërore kanë bllokuar llogarinë personale të tij dhe llogaritë e klinikës, si dhe është vendosur ndalesë për shitjen e spitalit. Ai theksoi se, sipas dëshmisë së Mitrevit, vetëm një javë pasi përfaqësues të pushtetit të atëhershëm kishin shprehur interes për marrjen e klinikës, Prokuroria Publike e kishte hequr ndalesën.



