Me fillimin e vitit të ri shkollor, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka miratuar masë për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore. Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Sipas VMRO-DPMNE-së, tregtarët me shumicë janë të obliguar t’i ulin çmimet për të paktën 10 për qind, ndërsa tregtarët me pakicë për të paktën 15 për qind.
Masa përfshin një gamë të gjerë të produkteve të nevojshme për nxënësit, përfshirë çantat, fletoret, blloqet, kolazhet, lapsat dhe stilolapsat, ngjyrat, plastelinën, materialet për modelim, markerët, vizoret dhe materialet didaktike.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se ky është viti i tretë radhazi që Qeveria e udhëhequr nga kjo parti vendos “shportën shkollore” në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas tyre, qëllimi i masës është t’u lehtësohen prindërve shpenzimet gjatë muajit shtator, të kursehen buxhetet familjare dhe të mbrohet standardi jetësor i qytetarëve.
Në veçanti, masa pritet të jetë me rëndësi për familjet me më shumë se një fëmijë, duke u mundësuar prindërve që mjetet e nevojshme shkollore t’i blejnë me çmime më të ulëta dhe më të përballueshme.
VMRO-DPMNE vlerëson se me masa të tilla konkrete vazhdon zbatimi i politikave që synojnë të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe të mbrojnë standardin e tyre jetësor.






