VMRO-DPMNE: Ekonomia rritet, borxhi publik në raport me PBB-në ulet dhe inflacioni është nën kontroll

Advertisement

Politikat e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE po japin rezultate, thuhet në një reagim të partisë. Sipas tyre, ekonomia po rritet, borxhi publik po ulet dhe po vendoset në një kornizë të qëndrueshme, ndërsa inflacioni është ulur ndjeshëm.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se në dhjetor të vitit 2017 borxhi publik ishte 4.787 miliardë euro, ose 47,7 për qind e PBB-së. Deri në fund të vitit 2023, pas gjashtë vitesh qeverisje të LSDM-së, borxhi publik arriti në 8.477 miliardë euro, ose 57,8 për qind e PBB-së.

Sipas partisë, kjo paraqet një rritje prej 3,69 miliardë eurosh të borxhit publik për gjashtë vjet, ndërsa në të njëjtën periudhë PBB-ja është rritur për rreth 3,9 miliardë euro.

VMRO-DPMNE thotë se me qeverinë aktuale fokusi është ndryshe dhe se çdo huamarrje duhet të ketë arsyetim ekonomik dhe të drejtohet drejt investimeve, infrastrukturës, prodhimit dhe projekteve që krijojnë vlerë të shtuar.

Në fund të vitit 2024, borxhi publik ishte 9,619 miliardë euro, ose 61,4 për qind e PBB-së. Ndërsa, sipas të dhënave të cituara nga partia, më 30 qershor 2026 borxhi publik ishte 58,8 për qind e PBB-së, që sipas tyre tregon ulje të borxhit në raport me ekonominë.

Në të njëjtën kohë, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, PBB-ja e Maqedonisë së Veriut në vitin 2026 pritet të arrijë në 21,61 miliardë dollarë, krahasuar me 16,95 miliardë dollarë në vitin 2024.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është inflacioni. Sipas të dhënave të përmendura në reagim, inflacioni në korrik 2026 ishte 2,3 për qind në nivel vjetor, ndërsa në korrik të vitit 2022 kishte arritur në 16 për qind.

VMRO-DPMNE thekson se në korrik 2026 Maqedonia e Veriut kishte inflacion më të ulët se një sërë vendeve të rajonit, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Rumaninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Turqinë.

Nga partia vlerësojnë se ulja e inflacionit është një hap i rëndësishëm dhe se Qeveria do të vazhdojë me politika që synojnë rritjen reale të pagave dhe pensioneve, rritjen e produktivitetit, investimet e reja dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Dallimi në politikat ekonomike është i qartë. VMRO-DPMNE angazhohet që çdo huamarrje të lidhet me një projekt konkret zhvillimor, çdo investim të krijojë vlerë të re, ndërsa rritja ekonomike të përkthehet në standard më të mirë jetese”, thuhet në reagimin e partisë.

Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, siç thuhet në reagim, do të vazhdojë me politika që synojnë investime, prodhim, vende të reja pune, të ardhura më të larta dhe siguri më të madhe ekonomike për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit