VMRO-DPMNE: BDI e fsheh turpin nga Kërçova – Fatmir Dehari, që abuzon brutalisht me pushtetin, poshtëron dhe ngacmon seksualisht grat
VMRO-DPMNE reagoi ashpër ndaj skandalit që përfshin kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari, duke theksuar se BDI po përpiqet ta mbulojë një rast të turpshëm të abuzimit me pushtetin dhe të ngacmimeve seksuale ndaj grave.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Fatmir Dehari është kryetari i turpit në Kërçovë, simbol i abuzimit brutal me pushtetin, i poshtërimit dhe i ngacmimit seksual të grave.
Në opinion dolën incizime që, sipas partisë, zbulojnë të vërtetën e neveritshme për Deharin – mënyrën se si ai i ka maltretuar dhe poshtëruar seksualisht gratë në vendin e punës.
“Dehari e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe kjo nuk guxon të mbetet e heshtur e as e pandëshkuar. Ky është turp, fyerje dhe poshtërim për çdo grua në shtet, pa marrë parasysh përkatësinë etnike,” thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Në vend që Dehari të japë dorëheqje dhe të kërkojë falje, BDI – sipas VMRO-DPMNE-së – po përpiqet ta fshehë skandalin duke i quajtur incizimet “materiale të fabrikuara” dhe “xhirime spekulative e të montuara”, në përpjekje për ta mashtruar opinionin publik.
“Është një përpjekje e lirë për ta relativizuar skandalin dhe për ta kthyer në një histori etnike. Por kjo nuk kalon – publiku i dëgjoi incizimet. BDI nuk duhet ta nënvlerësojë inteligjencën e popullit,” shton partia.
Në ato incizime, sipas VMRO-DPMNE-së, dëgjohet se si gratë e punësuara detyrohen ta puthin dhe madje t’i ulen në prehër Deharit – sjellje që partia e cilëson si “të neveritshme, të pahijshme dhe të papranueshme”.
“A është ky niveli në të cilin ka rënë BDI – të mbrojë dhe të përkrahë funksionarë që ngacmojnë seksualisht gra? A është ky respekti që kjo parti ka për gratë? Çfarë mesazhi u dërgojnë familjeve me një sjellje të tillë?”, pyet VMRO-DPMNE.
Partia kërkon që Dehari menjëherë të japë dorëheqje dhe të tërhiqet nga jeta publike, ndërsa u bën thirrje grave të BDI-së, institucioneve, partive politike dhe organizatave për mbrojtjen e grave që të reagojnë qartë dhe pa kompromis.
“Qytetarët e Kërçovës dhe gjithë opinioni publik nuk e meritojnë një sjellje të tillë dhe një turp të këtillë. Asnjë grua nuk duhet të trajtohet si objekt. Të gjitha gratë, nënat dhe bijat meritojnë respekt dhe mbrojtje,” përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së.