Dega e VLEN-it në Shuto Orizarë ka reaguar pas tubimit të fundit të BDI-së në këtë komunë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i partisë, Ali Ahmeti, duke akuzuar BDI-në se në vend të vizionit dhe programit për qytetarët, promovoi gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kundërshtarëve politikë.
Sipas reagimit, qytetarët në tubim nuk dëgjuan ide për të ardhmen, por etiketime dhe ofendime nga kryetari i degës së BDI-së në Shuto Orizarë, Iljaz Leskovica.
VLEN i drejton publikisht një pyetje Ali Ahmetit, duke kërkuar të dijë nëse kjo është reforma që BDI u premton qytetarëve.
“Nëse po, atëherë reforma e BDI-së nuk është reformë e mendësisë politike, por vetëm vazhdim i kulturës së vjetër të ofendimeve, arrogancës dhe përbuzjes ndaj kujtdo që nuk mendon si ata”, thuhet në reagim.
Më tej, VLEN vlerëson se një parti që pretendon të reformohet duhet ta dëshmojë këtë përmes gjuhës, sjelljes dhe kulturës demokratike, e jo duke toleruar apo inkurajuar fyerjet nga drejtuesit e saj.
Sipas tyre, nëse BDI nuk distancohet nga kjo retorikë, atëherë bëhet e qartë se ofendimi është pjesë e mënyrës së saj të të bërit politikë dhe se “reforma” e paralajmëruar mbetet vetëm një slogan pa përmbajtje.
Në fund të reagimit, VLEN thekson se nuk do t’i përgjigjet gjuhës së urrejtjes me të njëjtën qasje, por do të vazhdojë të komunikojë me argumente, respekt ndaj qytetarëve dhe vizion për ndryshim, duke shtuar se politika fitohet me besimin e qytetarëve dhe jo me fyerje.





