VLEN reagon ndaj akuzave të BDI-së: Sot BDI mbron një projekt që drejtorët e saj kanë kërkuar të shkëputet!

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj akuzave të Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me projektin energjetik, duke theksuar se vetë kuadrot e kësaj partie kanë kërkuar ndërprerjen e kontratës problematike.

BDI sot mbron një projekt për të cilin edhe drejtorët e saj në MEPSO kanë qenë të mendimit se duhet të ndërpritet. Dikush në BDI sot ka interes të madh të mbrojë një projekt që për pesë vite ka pasur realizim vetëm 4%, ndërsa i ka kushtuar shtetit shuma të mëdha parash.

Të rikujtojmë: iniciativa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest” nuk është e sotme dhe as vendim personal i dikujt. Ajo buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, në kohën kur drejtor i sektorit juridik ishte Bilen Saliji, ish-ministër i drejtësisë nga radhët e BDI-së. Pra, një kuadër i BDI-së e ka nisur procedurën për ndërprerje, sepse edhe vetë kanë konstatuar se kontrata është jofunksionale dhe u kushton shumë qytetarëve.

Të njëjtin qëndrim e konfirmon edhe ish-drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, gjithashtu kuadër i BDI-së, i cili publikisht ka deklaruar se do ta ndërpriste kontratën. Fjalët e tij janë të qarta: nuk ka pasur aktivitete në terren, nuk ka pasur bazë për rritje çmimi, kontrata ka qenë fikse, ndërsa kompania praktikisht nuk ka funksionuar. Këto nuk janë qëndrime të VLEN-it, këto janë qëndrime të njerëzve nga BDI.

Faktet janë të pakontestueshme. Projekti ka pasur realizim vetëm rreth 4% në një periudhë pesëvjeçare. Kontrata ka qenë e skaduar. Me vite nuk ka pasur aktivitete ndërtimore, por vetëm përpjekje për kërkesa shtesë financiare në kundërshtim me kontratën. Në të njëjtën kohë, shteti ka paguar interese për kredi që nga viti 2015, ndërsa projekti qëndronte në vend.

Vendimi për ndërprerje nuk është marrë as në mënyrë të improvizuar dhe as politike. Ai është rezultat i një forenzike të detajuar dhe analize të thellë, e përgatitur në kuadër të një projekti të mbështetur nga USAID, me udhëzime të qarta për veprim. Çdo hap i mëtejmë është ndërmarrë në përputhje me rregullat e EBRD-së, nën mbikëqyrjen e së cilës realizohet projekti.
Pavarësisht kësaj, BDI sot përpiqet të krijojë panik me shifra dhe konstrukte.
Pyetja që BDI nuk e shtron është më e rëndësishmja:
Pse në kohën e BDI-së nuk u ndërtua ky projekt për lidhjen me Shqipërinë?
Kush kishte interes që projekti të qëndronte në vend, ndërsa paratë të vjeleshin? Nefiu nga Ohri? Kreu i BDI-së?
Kush përfitoi ndërkohë që paguheshin kamata dhe kërkoheshin anekse? Po ata të njëjtët?
Përgjigjja është e qartë.
BDI sot nuk mbron qytetarët, BDI mbron një sistem që ka lejuar që një projekt të qëndrojë me vite në vend, ndërsa krijoheshin kosto financiare.

Prandaj “shqetësimi” i tyre është në fakt panik. Panik sepse sistemi po ndryshon. Panik sepse projekti më në fund po lëviz përpara. Panik sepse e vërteta po del në pah dhe paratë e nxjerra nga projektet shtetërore nuk përfundojnë më në llogaritë e tyre private.

BDI mund të bëjë pyetje sa të dojë. Por përgjigjet çojnë drejtpërdrejt tek ata.
Ata nuk ndërtuan asnjë projekt në interes të shqiptarëve. Ata bllokuan, shpenzuan dhe grumbulluan para për vete.
VLEN ndërton dhe do të vazhdojë të ndërtojë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit