Shkup, 29 prill, Zhurnal.mk – VLEN favorizon krijimin e tre njësive zgjedhore për zgjedhjet parlamentare për ndryshime në kodin zgjedhor, mëson Zhurnal.mk.
Sipas burimeve brenda VLEN, ky koalicion vlerëson se modeli me tre njësi zgjedhore siguron një “balancë më të mirë mes proporcionalitetit dhe përfaqësimit territorial.”
Buriet e VLEN thonë se sipas kësaj logjike, deputetët mbeten më të lidhur me rajonet nga të cilat zgjidhen, duke forcuar përgjegjësinë e tyre ndaj qytetarëve në terren.
Së dyti, VLEN argumenton se tre njësi zgjedhore “shmangin rrezikun e centralizimit të tepërt të votës në një listë të vetme shtetërore”, siç propozohet nga disa parti të vogla, duke ruajtur një shpërndarje më të natyrshme të përfaqësimit politik.
Së treti, sipas këtij qëndrimi, modeli me tre njësi zgjedhore “kontribuon në stabilitet më të madh politik, pasi redukton fragmentimin ekstrem të Kuvendit që mund të krijohet me një njësi zgjedhore.”
Po ashtu, një argument i rëndësishëm i VLEN është se ky sistem mundëson garë “më të drejtë politike” në nivel rajonal, ku partitë janë të detyruara të jenë më afër qytetarëve dhe jo vetëm të mbështeten në votën e përgjithshme kombëtare.
Në përgjithësi, VLEN e sheh modelin me tre njësi zgjedhore si një “zgjidhje kompromisi” mes përfaqësimit proporcional dhe funksionalitetit të sistemit zgjedhor.
Ndërkohë VLEN vazhdon që të favorizojë përfundimin me lista të mbyllura zgjedhore dhe kalimin në lista të hapura të kandidatëve për deputetë në kuvend.





