VLEN e mirëpret “zbulimin” e fundit të Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me Korridorin 8, i cili, edhe pse me vonesë, konfirmon atë që
NE e kemi thënë dhe dëshmuar vazhdimisht: ky projekt nuk ndalet dhe nuk është pronë e askujt.
Pas një periudhe të gjatë deklaratash kontradiktore dhe përpjekjesh për të krijuar mjegull politike, është inkurajuese të shohim se opozita më në fund po reflekton dhe po i afrohet qëndrimeve që VLEN i ka mbrojtur me konsekuencë dhe përgjegjësi institucionale.
VLEN rikujton se përkushtimi ynë për realizimin e Korridorit 8 ka qenë i qartë që nga dita e parë: Një projekt strategjik që lidh vendin me rajonin dhe me Bashkimi Evropian, dhe që duhet të ndërtohet mbi baza profesionale, transparente dhe të qëndrueshme.
Është e qartë se retorika destruktive dhe përpjekjet për ta politizuar këtë projekt nuk kanë prodhuar asgjë, përveç konfuzionit. Prandaj, çdo hap drejt një komunikimi më racional dhe më të përgjegjshëm është i mirëpritur, edhe kur vjen me vonesë.
VLEN mbetet i përkushtuar që Korridori 8 të realizohet si një projekt modern, evropian dhe në shërbim të qytetarëve, duke garantuar zhvillim ekonomik, lidhje më të forta rajonale dhe perspektivë të qëndrueshme për vendin.



