Shkup, 22 gusht 2026 – Fillimi i vitit të ri shkollor sjell shpenzime të shumta për familjet. Për t’ua lehtësuar këtë barrë prindërve, VLEN, përmes ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka propozuar rikthimin e masës “Shporta shkollore”, e cila parashikon zbritje deri në 15 për qind për pajisjet shkollore.
Në “shportën shkollore” pritet të përfshihen çanta, fletore, lapsa, markerë, blloqe vizatimi dhe produkte të tjera bazë që nxënësve u nevojiten për fillimin e vitit shkollor.
Sipas VLEN-it, masa synon të ulë shpenzimet e familjeve në periudhën kur ato janë më të larta dhe të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për prindërit.
Produktet që do të përfshihen në masë do të jenë të shënuara qartë nëpër shitore, ndërsa zbritja do të aplikohet drejtpërdrejt në arkë dhe do të pasqyrohet në kuponin fiskal.
VLEN thekson se mbështetja e familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë ndër prioritetet kryesore.






