VLEN: Cili prokuror ka ofruar marrëveshje të mundshme mes Grubit dhe Prokurorisë

Advertisement

Shkup, 25 gusht, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar pas seancës së parë gjyqësore ndaj ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me pretendimet për një marrëveshje të mundshme me Prokurorinë.

Në reagimin VLEN shprehet se pas seancës së mbajtur dje po hapen pyetje serioze për zhvillimet që, sipas tyre, mund të kenë ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet e mundshme për përfundimin e procesit përmes një marrëveshjeje me organin e akuzës.

Sipas pretendimeve të VLEN-it, Grubi dyshohet se është bindur të pranojë një marrëveshje me Prokurorinë, përfshirë pranimin e fajësisë dhe marrjen e një sanksioni më të lehtë. Nga koalicioni vlerësojnë se një zhvillim i tillë mund të ndikojë edhe në ambiciet e tij politike brenda BDI-së.

VLEN pretendon gjithashtu se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka konsideruar procesin gjyqësor si të rrezikshëm për partinë, duke pasur parasysh mundësinë që zhvillimet rreth rastit të ndikojnë në imazhin dhe rejtingun politik të saj.

Në reagim thuhet se Grubi kishte përgatitur edhe intervista publike, pasi, sipas VLEN-it, kishte besuar se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, ndërsa më pas është përballur me zhvillime të tjera. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak, sipas tyre, mund të shihet edhe si presion shtesë për arritjen e një marrëveshjeje para fillimit të procesit gjyqësor.

VLEN përmend gjithashtu përfaqësuesit ligjorë të disa prej të akuzuarve në këtë rast, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë figura të njohura të sistemit të drejtësisë nga periudha e qeverisjes së mëparshme të VMRO-DPMNE-së.

VLEN ngre pyetje edhe lidhur me mospraninë e Përparim Bajramit, bashkëpunëtor i Grubit dhe një nga personat e përfshirë në këtë rast.

“Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Përparim Bajramit”, thuhet në reagim.

Në fund, VLEN përmend edhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke pretenduar se ai nuk ka qenë i kënaqur me zhvillimet e fundit dhe me reagimet që, sipas tyre, kanë ardhur nga adresa të caktuara ndërkombëtare.

VLEN e përfundon reagimin me akuza të ashpra ndaj drejtuesve të BDI-së, duke vlerësuar se partia po hyn në një periudhë të vështirë politike.//Zhurnal.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit