Çka nuk bën dëshira e madhe për kolltuqe? Bujar Osmani nuk po mund të durojë as dy vjet pa qenë ministër. E njëjta vlen edhe për krejt këtë BDI të pareformuar. Është për keqardhje ta shohësh se si BDI e nënçmon popullin e vet.
Teza e tyre se shqiptarët i kanë të drejtat politike e demokratike vetëm kur BDI është në Qeveri me VMRO-DPMNE-në apo LSDM-në, është hipokrizi dhe rrenë e pastër. Ata vetë po e pranojnë se luftojnë vetëm për pushtet, tenderë dhe interesa personale. Për shqiptarët nuk u bëhet vonë. Shqiptarët i trajtuan si vegël për pushtet, i përdorën për tenderë dhe sot duan t’i shtrydhin përsëri për pasurimin e tyre personal.
BDI vazhdon me truqe të vjetra. Ende jeton në filmin e vitit 2008. Atëherë u nënshkrua Marrëveshja e Majit dhe Ali Ahmeti u bë partner i Gruevskit dhe Mijalkovit, duke krijuar së bashku regjimin që i shtypte shqiptarët.
Por në këtë hipokrizi politike të BDI-së ka edhe anë pozitive. Me sjelljen e tyre, pa vetëdije pranojnë se neve na kanë lënë trashëgimi punë gjysmake, ligje të dobëta dhe çështje të pazgjidhura. Kjo tregon se krejt çka ka bërë BDI ka qenë vetëm populizëm i pastër, duke u hedhur hi syve shqiptarëve në vend që t’u zgjidhte problemet.
Koha kur Ali Ahmeti mund të fliste për interesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Ballkan moti ka marrë fund. Afera “Soravia” dhe skandalet e shumta ia hoqën maskën përfundimisht dhe treguan se për Ali Ahmetin paraja peshon më shumë se çdo ndjenjë kombëtare. Politikisht, kjo e ka varrosur!





