VLEN: BDI-ja e përdori Marrëveshjen e Ohrit si “bankomat personal”

Advertisement

Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se gjatë viteve të qeverisjes e ka shfrytëzuar këtë marrëveshje për interesa partiake dhe përfitime personale.

Në një komunikatë për media, VLEN vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike, por rezultat i sakrificës dhe angazhimit të shqiptarëve për barazi dhe të drejta më të mëdha në shtet.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së. Ajo është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë. Por ajo që nisi si akt i ndërgjegjes kombëtare, BDI-ja e zhbëri, duke e kthyer në bankomat për pasurim personal”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga ky koalicion kritikojnë organizimet e BDI-së për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, duke pretenduar se në to marrin pjesë ish-funksionarë dhe zyrtarë që, sipas tyre, kanë ndërtuar karrierat politike në emër të kësaj marrëveshjeje.

VLEN gjithashtu akuzon BDI-në për përfshirje në një sërë aferash dhe skandalesh që kanë shënuar periudhën e qeverisjes së saj, duke përmendur raste të ndryshme politike dhe gjyqësore që kanë qenë objekt debatesh publike ndër vite.

Sipas VLEN-it, kritikat ndaj ish-funksionarëve të BDI-së janë reflektuar edhe në raportet dhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit.

Në fund të reagimit, VLEN thekson se Marrëveshja Kornizë e Ohrit u përket të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të vendit dhe nuk mund të konsiderohet pronë politike e asnjë subjekti.

“Marrëveshja e Ohrit u përket shqiptarëve. Nuk është tapi e Ali Ahmetit, as trashëgimi familjare e kolltukofagëve të BDI-së”, thuhet në reagim.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit