Venera Azizi prezanton punën e Qeverisë gjatë tetorit: Rritje ekonomike, investime dhe propozim-ligji për punëtorët me kontrata

Advertisement

 

Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, ka prezantuar përmes një videoje përmbledhjen e aktiviteteve dhe projekteve të realizuara gjatë muajit tetor, duke veçuar zhvillimet në ekonomi, arsim, infrastrukturë, shëndetësi dhe punësim.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Azizi, ekonomia ka shënuar rritje prej 3.8 për qind, ndërsa në sektorin e arsimit kanë vazhduar punimet për gjimnazin e ri në Kumanovë, është hapur çerdhja në Tearcë dhe kanë nisur rikonstruksionet e pesë sallave sportive shkollore në Çair, Tetovë, Dibër, Shkup dhe Kumanovë.

Ajo ka përmendur edhe vazhdimin e ndërtimit të kampusit të Universitetit „Nënë Tereza“, si dhe marrjen e statusit universitar nga Biblioteka e Tetovës.

Në fushën e infrastrukturës, Azizi ka veçuar fillimin e ndërtimit të autostradës Bukojçan-Kërçovë, në gjatësi prej 11.5 kilometrash, vazhdimin e punimeve në autostradën Shkup-Bllacë dhe projektin e hekurudhës Shkup-Prishtinë, që synon të lidhë dy kryeqytetet për 50 minuta.

Në ekonomi dhe bujqësi, ajo ka përmendur investimet e reja të kompanive Krombacher dhe Schubert në Manastir, të cilat parashikojnë hapjen e 2.000 vendeve të punës, ndarjen e 149 milionë denarëve për mbi 1.900 kultivues të mollëve, si dhe grantet deri në 360.000 denarë për gratë në zonat rurale.

Në përmbledhje janë përfshirë edhe masat për aftësim profesional dhe punësim, sigurimi i 100 autoambulancave, digjitalizimi i letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve, si dhe mundësia që ushtarët profesionistë të vazhdojnë punën edhe pas moshës 45-vjeçare.

Azizi ka veçuar edhe formimin e Komitetit Nacional për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Gazetarëve, ndërsa ka rikujtuar fushatën e Tetorit Rozë për rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore.

Një pjesë të veçantë të prezantimit ia ka kushtuar propozim-ligjit për personat e angazhuar me kontrata, përmes të cilit synohet që mijëra punonjës të përfitojnë punësim të përhershëm.

„Prej vitesh punojnë, por asnjëherë nuk e dinë se kontrata a do të vazhdohet. Me këtë propozim-ligj synojmë t’i japim fund kësaj padrejtësie dhe t’u mundësojmë këtyre punonjësve punësim të përhershëm“, ka deklaruar Azizi.

Në fund të video-paraqitjes, zëdhënësja e Qeverisë ka përmbledhur qasjen e ekzekutivit me mesazhin: „Nga premtimi shkojmë në realizim. Ky ishte tetori, kështu ne e kuptojmë qeverisjen!“

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit