Këshilli Komunal i Strugës ka miratuar vendimin për rritjen e çmimeve të parkimit në qytet gjatë sezonit veror. Me vendimin e ri, tarifa për parkim në zonën qendrore do të rritet nga 40 në 80 denarë për orën e parë, ndërsa do të ketë edhe kategorizim të ri të zonave të parkimit.
Sipas autoriteteve komunale, ndryshimet janë ndërmarrë për të përmirësuar menaxhimin e trafikut dhe për të krijuar më shumë mundësi parkimi gjatë muajve kur Struga përballet me fluks të madh turistësh dhe mërgimtarësh. Në të njëjtën kohë, në disa zona periferike tarifat do të jenë më të ulëta, për t’u ofruar qytetarëve alternativa më të përballueshme.
Nga Ndërmarrja Publike “Eko Struga” bëjnë të ditur se sistemi i ri i parkimit do të shoqërohet me ndarje të zonave sipas lokacionit, ndërsa të ardhurat do të shfrytëzohen për përmirësimin e shërbimeve dhe menaxhimin e hapësirave të parkimit.
Vendimi ka ngjallur reagime të ndryshme në opinion, ku një pjesë e qytetarëve e konsiderojnë rritjen të lartë, ndërsa komuna vlerëson se masa është e nevojshme për funksionimin më efikas të parkimit gjatë sezonit turistik.





