Në Gjevgjeli është hapur sot Qendra për qëndrim ditor të të moshuarve dhe plakje aktive, në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Në hapjen e qendrës morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, kryetari i Komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramandov, dhe sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti.
Aplikues për projektin është Komuna e Gjevgjelisë, ndërsa shërbimet do të ofrohen nga Kryqi i Kuq i RMV-së – Organizata Komunale Gjevgjeli.
Qendra është e dedikuar për personat mbi 65 vjeç, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm ose me bashkëshortin, përballen me rrezikun e vetmisë dhe izolimit social apo kanë nevojë për mbështetje, shoqërim dhe aktivitete të përditshme.
Kapaciteti i qendrës është 50 përdorues dhe ajo do të funksionojë pesë ditë në javë. Programi do të përshtatet sipas nevojave dhe interesave të të moshuarve dhe do të përfshijë aktivitete sociale, kulturore, edukative, kreative, rekreative dhe shëndetësore-preventive.
“Qëllimi ynë është që shërbimet sociale të jenë sa më afër qytetarëve dhe të krijojmë kushte që çdo njeri, pavarësisht moshës, të ketë mundësi për jetë dinjitoze, aktive dhe cilësore. Qendrat e këtij lloji nuk ofrojnë vetëm qëndrim ditor, por krijojnë hapësirë për shoqërim, aktivitete, mbështetje dhe rikonektim me komunitetin”, deklaroi ministri Velkovski.
Qendra është pajisur me hapësira për shoqërim, pushim dhe aktivitete në grup, kuzhinë të kompletuar dhe kushte të përshtatshme për lëvizje të sigurt të përdoruesve.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë theksuan se hapja e kësaj qendre paraqet shembull të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, vetëqeverisjes lokale dhe organizatave që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve.






