Ish-zëvendësministri i Transportit, Bekim Rexhepi, ka reaguar lidhur me fillimin e ndërtimit të fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, duke kërkuar më shumë informacione për përgatitjen, financimin dhe koston e projektit.
Rexhepi tha se projekti nuk ka nisur nga zero në vitin 2026, pasi, sipas tij, përgatitjet, projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat përkatëse janë zhvilluar në periudhën paraprake.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e kostos së projektit. Sipas tij, për ndërtimin e 10.5 kilometrave të autostradës është raportuar një kontratë në vlerë prej rreth 222 milionë eurosh.
Rexhepi iu referua edhe deklarimeve të bëra në tetor të vitit 2024 lidhur me koston e projektit, duke përmendur një letër të kompanisë konsulente SUEZ, të datës 31 maj 2024. Sipas tij, në atë periudhë ishte deklaruar se kostoja ishte rritur nga rreth 172 milionë në 240 milionë euro, ndërsa ishte përmendur edhe mundësia që ajo të arrinte deri në 300 milionë euro.
“Sot, i njëjti projekt prezantohet si sukses i Qeverisë. Nëse projekti është i njëjtë, çfarë ka ndryshuar?”, pyeti Rexhepi.
Ai kërkoi që Qeveria të publikojë dokumentacionin përkatës, përfshirë letrën e SUEZ-it, kontratën, koston përfundimtare dhe ndryshimet eventuale në projekt dhe dokumentacion.
Rexhepi kërkoi gjithashtu informacion nëse është zhvilluar ndonjë hetim lidhur me çështjet e ngritura më herët dhe kush do të jenë nënkontraktorët në realizimin e projektit.
Ai theksoi se ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë është i nevojshëm, por kërkoi transparencë lidhur me procesin e realizimit dhe kostot e projektit.






