Shkup, 29 qershor – Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE që nga dita e parë i ka vendosur modernizimin dhe digjitalizimin si shtylla kyçe të punës së saj. Zgjedhëm reforma konkrete që sjellin rezultate dhe përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve. Një nga këto reforma është sistemi “Qytet i Sigurt”, projekt i cili është plotësisht i harmonizuar me standardet evropiane dhe me prioritetet e BE‑së për menaxhim më të mirë dhe siguri më të madhe në rrugë, thuhet në njoftimin e VMRO‑DPMNE‑së nga konferenca e sotme për media e deputetit Aleksandar Veljanovski.
Tekstin e përcjellim të plotë:
Për realizimin e suksesshëm të tij u miratuan të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, ndërsa i gjithë procesi u zhvillua në mënyrë transparente. Qeveria që në fillim informoi publikun se sistemi fillimisht do të funksionojë në periudhë testuese, e cila nisi më 1 dhjetor të vitit të kaluar.
Rezultatet e para të testimit treguan qartë me çfarë situate përballeshim. Vetëm në 24 orët e para u regjistruan rreth 110.000 kundërvajtje, prej të cilave mbi 90% kishin të bënin me tejkalim të shpejtësisë, ndërsa u evidentuan rreth 5.000 kalime në dritë të kuqe dhe rreth 1.000 automjete të paregjistruara. Këto shifra janë tregues i fortë se një sistem i tillë ishte i domosdoshëm.
Por, që në ditën e dytë të periudhës testuese ndryshimi u bë i dukshëm. Numri i kundërvajtjeve u ul pothuajse përgjysmë, në 50.652 në ditë, gjë që dëshmoi se sistemi ka efekt të fortë parandalues dhe ndikon në sjelljen e pjesëmarrësve në komunikacion.
Deri në momentin kur nisi zbatimi i plotë i sistemit, më 1 shkurt 2026, numri ditor i kundërvajtjeve u stabilizua në rreth 500 deri në 600, që paraqet ulje prej mbi 99% krahasuar me ditën e parë të fazës testuese.
Qëllimi kryesor i “Qytet i Sigurt” është shpëtimi i jetëve njerëzore, ulja e numrit të aksidenteve të rënda dhe deri në vitin 2030 përgjysmimi i rasteve me fatalitet dhe lëndime serioze në rrugë.
Sistemi fillimisht u vendos në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10, ndërsa më pas u implementua edhe në Veles.
Javën e kaluar u vendosën kamera në autostradën pranë Novo Sellës në komunën e Debarcës, ndërsa paralelisht nisi edhe futja graduale e sistemit në Ohër.
Më e rëndësishmja është se sot flasim për rezultate, jo për premtime. Në pesë muajt e parë të zbatimit të sistemit, numri i personave të vdekur në aksidente trafiku është ulur për 40%, nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 33 këtë vit.
Të nderuar,
Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe në zbatimin e politikave që sjellin rezultate konkrete.
Sot flasim për rezultate të matshme. Ulja e numrit të kundërvajtjeve dhe e viktimave në aksidente tregon se reforma po e realizon qëllimin themelor: shpëtimin e jetëve njerëzore dhe krijimin e rrugëve më të sigurta për të gjithë qytetarët.
Qeveria do të vazhdojë me zgjerimin e sistemit “Qytet i Sigurt” dhe me investime në teknologji moderne që përmirësojnë sigurinë publike, sepse siguria e qytetarëve nuk ka alternativë. Detyrimi ynë është të ndërtojmë një shtet ku ligjet vlejnë njësoj për të gjithë dhe ku çdo qytetar ndihet më i sigurt dhe më i mbrojtur. përcjell Zhurnal.mk .





