Shkup, 3 korrik – Universiteti i Tetovës ka shënuar një moment të rëndësishëm në profilizimin e tij ndërkombëtar, duke formalizuar partneritetin programor me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan në kuadër të projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, pjesë e iniciativës America250, e cila shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky bashkëpunim i jep Universitetit të Tetovës rol të veçantë akademik në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë pjesë të një platforme ndërkombëtare që synon të dokumentojë, analizojë dhe promovojë ndikimin historik, demokratik dhe strategjik të partneritetit amerikan me Kosovën dhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Partneriteti u zyrtarizua përmes nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, partner zyrtar programues I America250 dhe udhëheqës i projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe Drejtori i Projektit America250 i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan Dr. Faton Bislimi. Nënshkrimit të Memorandumit i parapriu një takim pune në Universitetin e Tetovës, ku u diskutua për ndërtimin e një bashkëpunimi të strukturuar në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, diplomacisë akademike dhe aktiviteteve publike me karakter ndërkombëtar. Në takim morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Arsim, Prof. Dr.
Vullnet Ameti, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, udhëheqësja e Zyrës për veprimtari kërkimore-shkencore dhe aplikative, Mr. Sc. Artina Kamberi, udhëheqësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, si dhe Drejtori i Projektit America250 të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Dr. Faton Bislimi, me bashkëpunëtorët e tij.
Në kuadër të këtij partneriteti, Universiteti i Tetovës nuk do të ketë vetëm rol përfaqësues, por një funksion përmbajtësor në ndërtimin e komponentit akademik-programor të projektit. Kontributi I Universitetit do të përqendrohet në zhvillimin e një programi kërkimor që trajton rolin historik dhe bashkëkohor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në promovimin e demokracisë, konsolidimin institucional, sigurinë rajonale, shtetin e së drejtës dhe orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
Ky program kërkimor do të mbështetet në metodologji shkencore, analiza empirike dhe krahasuese, si dhe në indikatorë të matshëm, me qëllim që projekti të pasurohet me një dimension të verifikueshëm akademik. Në këtë mënyrë, Universiteti i Tetovës do të kontribuojë në prodhimin e njohurive shkencore që shkojnë përtej përkujtimit simbolik të një përvjetori historik, duke e shndërruar pjesëmarrjen e tij në një proces studimor me vlerë për institucionet, studiuesit, politikëbërësit dhe opinionin publik rajonal.
Një nga shtyllat kryesore të kontributit të Universitetit të Tetovës do të jetë përgatitja dhe publikimi i një botimi të veçantë shkencor, i cili do të trajtojë ndikimin e angazhimit strategjik amerikan në zhvillimet demokratike dhe institucionale në rajon. Ky botim synon të ofrojë qasje të balancuar. përcjell Zhurnal.mk .





