Një hetim i ri për korrupsion ka tronditur skenën politike në Ukrainë, ndërsa në kuadër të operacionit të agjencisë antikorrupsion NABU është përfshirë edhe një zyrtare e lartë e presidencës.
Sipas raportimeve të mediave ukrainase, zëvendësshefja e stafit të presidentit Volodymyr Zelensky, Iryna Moudra, është shkarkuar nga detyra dhe më pas është arrestuar, disa orë pas një bastisjeje të kryer nga NABU.
Lajmi për arrestimin është bërë i ditur nga deputeti ukrainas Alexey Goncharenko në Telegram dhe është raportuar edhe nga media ukrainase RBC.
NABU dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Antikorrupsion (SAP) njoftuan për një operacion kundër një organizate të dyshuar kriminale që, sipas tyre, lidhet me pastrimin e parave. Organizata dyshohet se drejtohej nga një deputet në detyrë dhe një ish-deputet, ndërsa në rast përmenden edhe zyrtarë të lartë të presidencës dhe persona të tjerë.
Hetimi zhvillohet në një periudhë të tensionuar politikisht në Ukrainë, pas deklaratave të ish-ministrit të Mbrojtjes Mykhailo Fedorov për nevojën e rikthimit të zgjedhjeve, pavarësisht vazhdimit të luftës.
Sipas informacionit të publikuar deri tani, presidenti Zelensky nuk është përfshirë drejtpërdrejt në hetim.






