Rezultatet e analizave të fundit të ujit në Gostivar ende nuk kanë përfunduar. Mostrat janë marrë nga disa pika të rrjetit të ujësjellësit, ndërsa për shkak të procesit laboratorik, rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme pas përfundimit të periudhës së inkubacionit prej 72 orësh.
Deri në publikimin e rezultateve, mbetet në fuqi ndalesa për përdorimin e ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
“Rezultatet nga mostrat e fundit ende nuk janë gati, pasi periudha e inkubacionit është 72 orë. Sapo Shtabi Qendror i Krizës t’i marrë rezultatet, opinioni do të informohet me kohë”, deklaroi Zudi Xhelili nga Shtabi Lokal i Krizës.
Ndërkohë, vazhdojnë edhe aktivitetet për përmirësimin e furnizimit me ujë. Një nga ndërhyrjet kryesore po realizohet në rezervuarin në Banjicë të Epërme, i cili është drejt përfundimit dhe pritet të vihet së shpejti në funksion.
Sipas Xhelilit, aktivizimi i rezervuarit pritet të rrisë sasinë dhe presionin e ujit në katër vendbanime që gjatë ditës kanë pasur furnizim të pamjaftueshëm, ndërsa në zonat më të larta në disa raste nuk ka pasur fare ujë.
“Besoj që këto pjesë do të furnizohen me ujë në periudhë prej 24 orësh”, tha Xhelili.
Deri në normalizimin e situatës, qytetarët vazhdojnë të furnizohen me ujë të pijshëm përmes cisternave dhe ujit të ambalazhuar.
Vendimi për heqjen e ndalesës së përdorimit të ujit do të merret vetëm pas publikimit të rezultateve përfundimtare të analizave.






