Turqia kërkon arrestimin e Netanyahut, e akuzon për “gjenocid” në Gaza

Advertisement

Turqia ka ndërmarrë një hap të ri ligjor ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar një njoftim të kuq nga Interpoli për arrestimin e tij në kuadër të një hetimi lidhur me ndërhyrjen ndaj një flotiljeje humanitare në drejtim të Gazës.

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, tha se urdhër-arrestet ndaj Netanyahut dhe një personi tjetër ishin lëshuar më 14 korrik 2026, ndërsa procedurat gjyqësore vazhdojnë ndaj 35 të dyshuarve. Akuzat e ngritura nga autoritetet turke përfshijnë “gjenocid”, krime kundër njerëzimit dhe torturë.

Sipas Ankarasë, rasti lidhet me ndërhyrjen ndaj aktivistëve të Global Sumud Flotilla në ujërat ndërkombëtare, teksa po përpiqeshin të dërgonin ndihma humanitare në Gaza.

Gürlek ka deklaruar se qeveria e Netanyahut nuk duhet të konsiderohet e paprekshme apo e pandëshkueshme dhe se Turqia do të përdorë mekanizmat që i ofron e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare për të kërkuar përgjegjësi.

Kërkesa e Turqisë vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Ankarasë dhe Tel Avivit. Turqia ka qenë një nga kritikët më të ashpër të operacioneve izraelite në Gaza, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar edhe për shkak të zhvillimeve në Siri.

Nga ana tjetër, zyra e Netanyahut e ka hedhur poshtë nismën e Turqisë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të frikësuar udhëheqjen izraelite.

Nëse Interpoli e pranon kërkesën, njoftimi i kuq do t’u dërgohej vendeve anëtare, por vetë njoftimi nuk përbën automatikisht një urdhër-arrest ndërkombëtar të detyrueshëm. Vendimin për arrestim do ta merrnin autoritetet e shtetit ku personi ndodhet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit